×
Kërko

Po kur Perëndia duket si i distancuar nga jeta ime?

Mendoj se është normale të kalojmë nëpër stinë të ndryshme të jetës sonë. Kjo ka kuptim. Për shembull, stina si bebe, si fëmijë, adoleshent, në moshë të mesme dhe si i moshuar. Jeta ecën në këtë mënyrë. Po kështu shohim stinë në krijesën e Perëndisë. Pranvera – plot me gjethe të reja dhe sythë. Vera – kur piqen frutat e shijshme. Vjeshta – kur bien gjethet dhe pemët zhvillojnë atë pjesë të trungut që i bën më të forta. Dhe së fundi dimri – kur gjërat duken të pashpresa dhe pa jetë.

Prandaj mendoj se është normale që të ketë stinë edhe në ecjen tonë me Perëndinë...kohë kur "afërsia" nuk ndihet edhe aq shumë sa më parë. Dua t'ju inkurajoj të shihni këtë mundësi. Sigurisht që ofrohen përgjigje të tilla si "lexo më shumë Biblën" ose "thjesht lutu më shumë", por nuk besoj se ofrojnë shumë, apo jo?

Ndoshta kjo është thjesht një kohë rafinimi në jetën tuaj, ku duhet të ndiqni Perëndinë aq sa mundeni, ta doni Atë, t'ia shprehni këtë dhe të prisni që ndjenjat të vijnë përsëri më vonë. Mund të ecni si të krishterë edhe kur nuk "ndiheni" afër. Më kuptoni? Ju i keni dhënë jetën tuaj Atij, i përkisni Atij dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë.

Të gjithë miqtë tuaj të krishterë të fortë do të përjetojnë gjëra të ngjashme me ju, nëse tregohen të sinqertë. Njoh shumë besimtarë që kanë kaluar nëpër kohë të tilla.

Sigurisht që ekziston gjithmonë mundësia që të ketë një mëkat në jetën tuaj. Mund të kaloni kohë e të flisni me Perëndinë për këtë. Lutjuni që t'ju tregojë nëse ka diçka në jetën tuaj që ka krijuar qark të shkurtër në komunikimin tuaj me Të. Por nëse nuk ju tregon diçka specifike, atëherë ndoshta mund të themi se nuk është për shkak të mëkatit. Shihni Psalmin 32:5 -”Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: "Do t`ia rrëfej shkeljet e mia Zotit", dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim.”

Është mirë të kaloni kohë me njerëz që ju inkurajojnë të keni besim. Tregojuni si ndiheni dhe kërkojuni të luten për ju. Kur kaloni kohë me Perëndinë, lejojeni që t'ju dojë – kërkojeni Perëndinë për atë që është dhe jo për të ndjerë afërsinë që dëshironi. Kjo nuk është diçka e keqe, por thjesht tregohuni të duruar.

Kaloni pak kohë duke menduar se çfarë është e vërtetë në jetën tuaj për shkak të Jezusit. Ju jeni fëmija e Tij. Ju jeni të falur

Ne e dimë se “Ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit” (Filipianët 1:6), kështu që e dimë se Ai po punon në ne, edhe pse s'e shohim apo ndjejmë këtë!

Lutjuni që t'ju ndihmojë, besoni dhe prisni. Do të jeni mirë. Shpresoj që kjo të mos tingëllojë si ndonjë nga ato përgjigjet e gatshme. S'është ky qëllimi im...Unë thjesht e di që edhe pse kjo periudhë kohe e tillë mund të duket pak e frikshme, Ai kujdeset për ju me një dashuri të përjetshme (Jeremia 31:3).