Të vërtetat e marrëdhënies tënde me Perëndinë...

Ju njohim me Biblën

Nga Steven L. Pogue

 

 Bibla nuk është vetëm për të mësuar; është për të jetuar. – Lorens O. Riçards

A doni të dini se çmendon vërtet Perëndia për ju? Po si duhet të mendoni ju për Perëndinë? Mund ta zbuloni… në Bibël!


Bibla është pikërisht mesazhi personal i Atij që krijoi universin. Meqenëse është Fjala e gjallë e Perëndisë, ajo nuk ju tërheq vetëm vëmendjen, por bën më tepër se kaq. Ju flet. Është e çuditshme, por vargjet që lexoni sot mund t’ju ndihmojnë për të zgjidhur problemet.

“Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjave dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës” (Hebrenjve 4:12).

Bibla shpjegon se si u shkrua

“Se asnjë profeci e Shkrimit nuk vjen nga interpretimi i profetit. Por njerëzit kanë folur prej Perëndisë të shtyrë nga Fryma e Shenjtë” (2 Pjetrit 1:20,21 CHC). Këto vargje janë thënë për profecitë e Dhiatës së Vjetër, por e gjithë Bibla është e frymëzuar: “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia…” (2 Timoteut 3:16).

Fjala “frymëzim” ka kuptimin “Perëndia derdhi frymën, fryu.” Fjalët e Biblës rrodhën nga vetë jeta e Perëndisë, nga Fryma e Tij. Ju ndoshta mund të gjeni të tjerë libra që ju nxitin t’i lexoni, sepse ju ngjallin emocion dhe kënaqin pritjet tuaja intelektuale, por nuk janë fjala e Perëndisë. Vetëm Bibla është e tillë.

Bibla zbulon se çfarë kërkon Perëndia të dini për Atë dhe për jetën. Ajo përmban premtime: gjëra që Perëndia thotë se do t’i bëjë për ju. Ja disa nga premtimet e Perëndisë për ju:

  • Perëndia do ta përdorë për mirë çdo gjë në jetën tuaj, duke ju bërë njësoj me imazhin e Krishtit (Romakëve 8:28,29)

  • Ai do të jetë gjithmonë me ju (Mateu 28:20)

  • Ai do të japë pa kursim urtësi, nëse kërkoni (Jakobi 1:5)

  • Ai do të plotësojë të gjitha nevojat në jetën tuaj (Filipianëve 4:19)

  • Ai i di tashmë nevojat tuaja, përpara se t’ia thoni (Mateu 6:32)

  • Paqja e Tij do t’ju ruajë gjatë gjithë jetës, ndërsa i luteni me falënderim (Filipianëve 4:4-7).

Në më të shumtën e librave, mësoni më mirë duke filluar nga faqja e parë. Ndoshta mendoni se është më mirë që ta filloni studimin e Biblës nga faqja e parë e Zanafillës. Në fund të fundit, Zanafillë do të thotë “fillim.” Por Bibla nuk është hartuar sipas rendit kronologjik. Librat e Biblës janë vendosur sipas kategorive. Për të lexuar Biblën, mund të keni dëshirë të ndiqni rendin e rekomanduar në fund të këtij artikulli. Ky rend është ndërtuar që t’ju ndihmojë të kuptoni mirë temat kryesore të Shkrimit dhe t’ju njohë me pjesën më të madhe të historisë së tij.

 

Çelësi për të kuptuar Biblën është Krishti


Dhiata e Vjetër pret me padurim ardhjen e Tij. Ungjijtë (Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni) zbulojnë identitetin e Krishtit dhe misionin e Tij, kurse pjesa tjetër e Dhiatës së Re shpjegon kuptimin e jetës së re në Krishtin. Për të kuptuar Dhiatën e Vjetër, duhet të filloni me Dhiatën e Re.

Jezusi tha se erdhi që të na jepte jetë me bollëk, dhe pjesë e këtij përjetimi është njohja dhe zbatimi i Fjalës së Tij. Jezusi tha: “Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.” (Gjoni 8:31-32)

Dikush ndau me ne Fjalën e Perëndisë dhe ne u bëmë të krishterë. “Të rilindur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet, me anë të fjalës së gjallë të Perëndisë, që mbetet përjetë.” (1 Pjetrit 1:23) Dhe ne vazhdojmë të rritemi në të njëjtën mënyrë, përmes Fjalës së Tij, të cilën Ai e quan ushqimi ynë. “Si foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij, nëse vërtet keni shijuar se Zoti është i mirë.” (1 Pjetrit 2:2,3)

Gjithë Psalmi 119 flet për vlerën që ka studimi i Fjalës së Perëndisë. Ja disa nga arsyet që jepen aty: “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.” (v. 11) “Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën. Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua. Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime.” (v. 97-99) “Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.” (v. 105)

Leximi i Biblës është një ushtrim i intelektit, i cili përfshin mendjen. Por, që ta kuptoni mësimin shpirtëror dhe ta zbatoni atë, keni nevojë për drejtimin e Frymës së Shenjtë. Kur lexoni Biblën, lutuni, duke i kërkuar Perëndisë që Fryma e Shenjtë t’jua bëjë të qartë atë që Ai dëshiron të dini: “Por, kur të vijë ai, Fryma e së Vërtetës, do t’ju prijë në gjithë të vërtetën” (Gjoni 16:13). Zhvilloni një frymë durimi – Perëndia dëshiron që t’ju mësojë nëpërmjet Fjalës së Tij. Por mos u mbështesni në ndjenjat. Unë kam pasur disa nga kohët më të mira të studimit të Biblës, kur vendosa që të vazhdoja leximin edhe për 15 minuta të tjera, pasi 15 minutat e para më ishin dukur të mërzitshme.

Nëse e studioni Biblën rregullisht çdo ditë, do t’ju bëhet zakon. Gjeni një vend ku nuk ju shqetëson njeri. Mendoni dhe gjeni kohën e përshtatshme kur jeni më të vëmendshëm dhe jeni gati që të kaloni kohë me Perëndinë. Mos harroni, ju po vazhdoni një marrëdhënie me Perëndinë dhe doni që të jeni në gjendje të bisedoni me Të. Mbani shënim ato që po ju mëson Perëndia. Shkrimi ju ndihmon që të organizoni mendimet, si dhe ju jep diçka që mund ta ktheni disa muaj më vonë. 

Perëndia do ta nderojë kohën që kaloni me Të dhe ju do të rriteni në besim. Do të jetë një kohë e shpenzuar më së miri.

Rendi i rekomanduar për leximin e Biblës:

  • Gjoni

  • 1 Gjonit

  • Romakëve

  • Galatasve

  • Efesianëve

  • Filipianëve

  • Kolosianëve

  • Luka

  • Veprat

  • 1 Thesalonikasve

  • 2 Thesalonikasve

  • 1 Timoteut

  • 2 Timoteut

  • Jakobi

  • Marku

  • 1 Korintasve

  • 2 Korintasve

  • Zanafilla

  • Eksodi

  • Jozueu

  • Fjalët e Urta

  • 1 Samuelit

  • 2 Samuelit


NDAJ KËTË ARTIKULL ME MIQTË