×
Kërko

A do të shkoj në parajsë edhe nëse mëkatoj?

Këtu duhen diskutuar disa aspekte.

Vetëkontrolli është fryt i Frymës

(Gal 5:22) – Fryma e Shenjtë ka për qëllim të ndërtojë në ne vetëkontrollin ndërsa drejton jetët tona dhe na transformon. Bibla i referohet procesit e t'u bërit si Jezusi si "shenjtërim" – një ndryshim progresiv ku Perëndia ndërton shenjtëri dhe karakterin e Tij në jetët tona.

Çdo i krishterë lufton me mëkatin,

kështu që mëkati që ka kapur vëmendjen tonë ka mundësi të ndryshojë me kalimin e kohës. Është e rëndësishme të lejojmë Perëndinë të na tregojë mëkatet që kemi bërë dhe ta lejojmë ta ndryshojë këtë gjë në kohën e Tij dhe sipas mënyrës së Tij. Nëse ne dallojmë një mëkat dhe fillojmë të ushtrojmë vetëkontroll për ta kapërcyer, ka shumë mundësi të dështojmë. Perëndia na ndryshon, kështu që Perëndia do të preferonte që në vend të fokusohemi te përpjekje tona, te forca e vullnetit tonë apo te vendosmëria jonë...ne të fokusohemi te Ai dhe te fuqia e Tij. Ai dëshiron që ne t'i besojmë se do të na ndryshojë, dhe jo t'i besojmë gjykimit tonë.

Pali luftoi me lakminë,

dhe e përshkruan këtë te Romakëve 7. Sa më shumë që përpiqej t'i bindej ligjit, aq më shumë ligji e dënonte sepse s'ishte në gjendje t'i bindej. Përfundimi i Palit? Kur ai pyet "kush do të më çlirojë nga ky trup i mëkatit dhe i vdekjes?" përgjigja që gjen është "Jezusi", dhe vazhdon e shpjegon më tej te Romakëve 8.

Vargje të tjera që mund të na ndihmojnë:

1 Gjonit 1:7-2:2 – Disa pjesë nga ky pasazh: “Po të themi se jemi pa mëkat, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne. Po t`i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi…. Djema të mi, ju shkruaj këto gjëra që të mos mëkatoni; dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin.; Ai është shlyesi për mëkatet tona…”

Asnjë i krishterë nuk jeton një jetë të përsosur, nga e cila Perëndia mund të jetë plotësisht i kënaqur. Por ne jemi pranuar nga Perëndia për shkak të vdekjes së Jezusit për ne, dhe jemi të falur dhe të shpallur të drejtë në sytë e Perëndisë për shkak të drejtësisë së Jezusit.

Romakëve 3:20-26 – “sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit. Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë, për të cilën dëshmojnë ligji dhe profetët, madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim; sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë, por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus.

Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë, për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit.”

Perëndia thotë se ne nuk jemi më nën ligj (kërkesat dhe pritjet e Perëndisë); në varësi të sjelljes sonë. Por jemi nën hir, sepse Jezusi i përmbushi kërkesat e ligjit, dhe me anë të hirit të Tij pranoi që ne të kemi një marrëdhënie me Të.

Baza e jetës së përjetshme është besimi ynë te Jezusi, jo aftësia jonë për të mposhtur mëkatin. Jezusi vdiq në kryq për shkak të mëkatit tonë. Ai na ofron falje në bazë të asaj çfarë bëri për ne. Na ofron drejtësi në sytë e Tij, pranim si fëmijë të Perëndisë sepse Ai solli shpëtimin tonë.

Tani ne duhet të fokusohemi te Fjala e Tij, duke iu lutur që të ndërtojë jetën tonë sipas asaj që shohim në Bibël, dhe t'i besojmë se do ta bëjë këtë gjë në ne. Mos u dekurajoni, por vazhdoni t'i besoni, vazhdoni të mbështeteni në aftësinë e Tij për t'ju ndryshuar dhe për t'ju çliruar nga mëkati. Binduni ndërsa ju ofron një rrugë për t'iu larguar tundimit – zgjidhni këtë rrugë! (1 Korintasve 10:13), por mos harroni që fuqia transformuese i takon Atij, jo neve.