×
Kërko

T'i thërrasim Perëndisë kur gjendemi në rrethana negative

Ju ka ndodhur ndonjë gjë negative në 24 orët e fundit, apo javën e fundit? Edhe nëse s'ka ndodhur, do të ndodhë! Sepse vetë Zoti ka thënë, “Në botë do të keni mundime.” Po ai tha, “merrni zemër, unë e munda botën.”1 Apostulli Gjon shkroi, “kjo është fitorja që e mundi botën: besimi ynë.”2 Kur gjendemi në rrethana negative në jetë, duhet të dimë se mund t'i besojmë Perëndisë i cili është besnik në mes të gjithë sfidave tona.

Zoti tha, “Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjala ime nuk do të kalojë.”3 Kjo do të thotë se Fjala e tij është më e vërtetë se çdo gjë që ndjejmë dhe më e vërtetë se çdo rrethanë që vjen në jetë. Çfarë është besimi? T'i zëmë besë Fjalës së Perëndisë.

Duhet të dimë veçanërisht se fjala e tij është më e vërtetë se mënyra si ndihemi kur na sulmojnë rrethanat negative. Sa shumë besim thotë Perëndia se duhet për të përballuar këto situata? Cila është shkalla më e vogël e besimit? Jezusi tha, “në të vërtetë, unë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi…”4 Kokrra e sinapit është një kokërr e vogël e rrumbullakët. Mendoj se është për shkak të hirit të tij që Perëndia thotë se kemi nevojë të besojmë vetëm sa një kokërr sinapi. Sa mirë që nuk thotë se duhet të kemi besim sa një portokalle apo mollë. Nëse ne thjesht 'ndjejmë' diçka dhe mbetemi aty, atëherë kemi marrë të tatëpjetën në jetë. Por nëse ne përdorim atë besim sa një kokërr sinapi dhe zgjedhim t'i besojmë Fjalës së Perëndisë sado pak, edhe nëse ndjenjat tona janë 180 gradë në drejtimin e kundërt, po i lejojmë Perëndisë të punojë në ne. Ai na kërkon t'i besojmë, “ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit.”5 Te Romakëve 1:17 thuhet se ne ecim “nga besimi në besim.” I zëmë pak besë Fjalës së Perëndisë, pastaj pak më shumë e pastaj edhe pak më shumë.

Shumë herë më kanë thënë, "Një i krishterë i mirë s'duhet të ndihet në këtë mënyrë." Ose kam dëgjuar të tjerë që thonë, "Nëse do të isha në vendin tënd, s'do të ndihesha kështu." Por fakti është që ju ndiheni në këtë mënyrë; pyetja është çfarë do të bëni në këtë rast?

E keni parë ndonjëherë diagramin në formë treni? Lokomotiva përfaqëson Fjalën e Perëndisë, Biblën, e cila është e vërteta: "Fakt" Qymyri përfaqëson besimin tonë te Fjala e Perëndisë. Dhe vagoni i fundit përfaqëson ndjenjat tona. Por treni drejtohet nga lokomotiva dhe jo nga vagoni i fundit. Nuk ka problem të kemi ndjenja. Jemi krijuar sipas imazhit të Perëndisë si qenie emocionale dhe prandaj kemi ndjenja. Por s'mund të mbështetemi te ndjenjat. Duhet ta vëmë besimin tonë te Perëndia dhe Fjala e tij.

Mendoj se shembulli më i mirë, si gjithmonë, është Jezus Krishti. Nëse shohim Jezusin në kopshtin e Getsemanisë, përpara se ta çonin në kryq, fjalët e tij nuk ishin "Biri i Perëndisë nuk duhet të ndihet në këtë mënyrë." Ai nuk po thoshte, "Nëse do t'i besoja Perëndisë s'do të ndihesha në këtë mënyrë." Nëse shohim atë pasazh kuptojmë se Ai po ndjente çdo gjë që mund të përjetonte dikush në atë situatë. Bibla thotë, “Filloi të ndjejë trishtim dhe ankth të madh…‘ Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje.’”6 Shihni fjalët që e përshkruajnë Jezusin në atë kohë. Ai ndihej plotësisht i trishtuar, i shqetësuar, në ankth, në agoni – çdo lloj ndjenje. Por në mes të gjithë këtyre ndjenjave ai i besoi Atit, duke thënë, “…megjithatë, jo si dua unë, por si do ti.”7

S'keni pse t'i ndrydhni ndjenjat apo thjesht t'i mposhtni. Mund të kemi ndjenja të thella dhe përsëri t'i besojmë Perëndisë në atë situatë. Nëse ia dalim mbanë do të çlirohemi. Por si e sjellim Perëndinë në situatat negative? Të shohim tre mënyra.

1. E thërrasim Perëndinë në situatat negative duke e lavdëruar dhe e falenderuar

Mënyra e parë si e thërrasim Perëndinë në situatat negative është duke e lavdëruar dhe e falenderuar. Efesianët 5:18-20 thotë, “Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymë, duke i folur njeri tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj, duke e falënderuar vazhdimisht për çdo gjë Perëndinë dhe Atin, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht.”

Dhe 1 Thesalonikasve 5:18: “Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.” Mendoj se fjala më e fortë në këtë varg është "Në". Koha më e vështirë për mua që të jem falënderues është kur ndodhem në situatë negative, kur s'ndihem sikur dua të falënderoj.

Dëgjova një histori para shumë vitesh të cilën e mbaj mend dhe e zbatoj. Burrë e grua kishin dëgjuar një folës të fliste rreth faktit se duhej të lavdëronin Perëndinë dhe ta falënderonin për çdo gjë në jetët e tyre, veçanërisht për situatat më të vështira. Kur po ktheheshin në shtëpi ata filluan të mendonin cila ishte gjëja më e vështirë në jetën e tyre. Djali i tyre!

Kishin një djalë 17 vjeçar i cili vetëm telashe u sillte. Tregohej i vështirë si me nënën ashtu edhe me babin e vet, me motrat e vëllezërit. Çfarë s'kishin provuar, por pa rezultat. Atë ditë, gjatë rrugës për në shtëpi, për herë të parë falënderuan dhe lëvduan Perëndinë për djalin e tyre.

Ai kishte qenë vetëm në shtëpi atë natë dhe kur ata u futën në rrugicën e shtëpisë panë se të gjitha dritat e shtëpisë ishin ndezur, dhe thanë: "At, ne të falënderojmë dhe të lavdërojmë për djalin tonë. Të lavdërojmë dhe falënderojmë edhe që dritat janë ndezur."

Pastaj hynë në kuzhinë dhe panë rrëmujën më të madhe që kishte ndodhur ndonjëherë. Mbi banak kishte kuti akulli, shishe coca cola, bukë, majonezë, mustardë, mish, biskota dhe patatina. Ata qëndruan aty dhe thanë: "Zot të lavdërojmë dhe falënderojmë për djalin tonë. Të falënderojmë dhe lavdërojmë për këtë rrëmujë."

Pastaj hynë te dhoma e ndenjes. Televizori ishte ndezur dhe kishte letra të shpërndara ngado, coca cola të pambaruar dhe biskota e sandwich. Ata qëndruan dhe thanë: "Të lavdërojmë dhe falënderojmë për djalin tonë dhe për këtë rrëmujë."

Vazhduan të lavdërojnë dhe falënderojnë Perëndinë për djalin e tyre gjithë ditën, ditën tjetër dhe kështu me radhë. Të shtunën pasdite, dikush trokiti në dhomën e tyre të gjumit. Ishte djali që tha: "Mund të vij të flas me ju?" Pastaj vazhdoi: "Mami, babi, jam menduar shumë kohët e fundit. S'jam ndjerë fare mirë. Kam qenë jo i lumtur dhe i mërzitur gjithë kohës. S'mund ta nxjerr gjithë mllefin te miqtë e mi se më nevojiten. Duhet të sillem mirë me ta. S'mund ta bëj këtë gjë as me mësuesit se më duhet të marr të paktën nota mesatare. Kështu që kam kuptuar se e kam nxjerrë mërzitjen me familjen time. Por dua t'ju them se s'do e bëj më."

Kur ne lavdërojmë Perëndinë për gjëra që s'na pëlqejnë, ne e sjellim Atë në situatat tona negative dhe kështu çlirojmë fuqinë e Tij për të punuar në këto situata. Alternativa tjetër do të ishte t'i vinim kapak kësaj pune e të mos e lejonim Perëndinë të përfshihej në situatat negative. Mendoj se kështu grumbullojmë aq hidhërim sa nuk arrijmë të falënderojmë. Unë s'dua të bëhem person i hidhur, kështu që e di se për këtë duhet të lavdëroj dhe falënderoj Perëndinë tani.

Ne e sjellim Perëndinë në situatat tona negative duke e lavdëruar dhe falënderuar Atë.

2. E thërrasim Perëndinë në situatat negative duke bekuar dhe duke mos mallkuar

Mënyra e dytë është duke bekuar dhe duke mos mallkuar. Do të doja ta kisha mësuar këtë gjë para shumë vitesh. Do t'i kisha kursyer vetes shumë probleme.

Jakobi 3:8-10 thotë, “kurse gjuhën asnjë nga njerëzit s`mund ta zbusë; është një e keqe e papërmbajtshme, plot me helm vdekjeprurës. Me atë ne bekojmë Perëndinë dhe Atin, dhe me të ne mallkojmë njerëzit që janë bërë sipas shëmbëllimit të Perëndisë. Nga e njejta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezër të mi, nuk duhet të ishte kështu.”

Fjala "mallkim" do të thotë të flasësh keq për dikë ose të mos flasësh mirë. Ndërsa fjala "bekim" është e kundërta; do të thotë të flasësh mirë. Kam dëgjuar një histori të vërtetë që më mësoi çfarë do të thotë të mallkosh dhe të bekosh një person.

Në Portland, Oregon, një pastor dhe gruaja e tij kishin problem me një prej djemve të tyre. Kulmi arriti kur ai u largua nga shtëpia dhe ata s'morën asnjë lajm prej tij për tre - katër vjet. Pastori shkoi te një këshilltar i krishterë të cilin e njihte mirë dhe ndau hallin e vet me të. Këshilltari e pa dhe tha: "Sa kohë ke që e mallkon djalin tënd?"

I tronditur nga këto fjalë pastori tha: "Çfarë do të thuash me këtë?" Këshilltari u përgjigj: "Fjala mallkim do të thotë të flasësh keq për dikë ose të mos flasësh mirë për të. Dhe gjithçka më tregove është një mënyrë sesi po flet jo mirë për djalin tënd. Sa kohë ka që e bën këtë?" Pastori tundi kokën dhe tha: "Mendoj se kështu ka qenë gjatë gjithë jetës. S'më ka lënë asnjëherë rast që të them diçka të mirë për të." Këshilltari u përgjigj: "Por s'ka funksionuar, apo jo?" "Jo" – tha pastori.

"Dua t'ju sfidoj bashkë me gruan tuaj që në muajt në vazhdim, sa herë t'ju kujtohet djali, ta bekoni. Dua që t'i luteni Perëndisë ta bekojë. Sa herë të flisni për djalin në shtëpi, dua të përpiqeni të kujtoni diçka të mirë rreth tij. Dua të flisni mirë për të."

Pastori tha: "Dakord, meqë s'kam ç'humbas." Shkoi në shtëpi dhe i tregoi gruas së vet. Të dy ranë dakord dhe filluan ta zbatonin këshillën. Sa herë luteshin për djalin i kërkonin Perëndisë ta bekonte. Sa herë flisnin për të, përpiqeshin të kujtonin diçka të mirë. Vazhduan kështu për ditë me radhë.

Rreth ditës së dhjetë, pastori ishte në studion e tij kur ra telefoni. Besoj e kuptoni se kush mori në telefon. Ishte djali i tij, i cili tha: "Babi, s'jam i sigurt pse po të marr në telefon, por javën e kaluar kam menduar shumë për ty, mamin dhe familjen tonë, ndaj mendova t'ju marr në telefon të pyes si jeni." Babai u përgjigj: "Jam shumë i gëzuar që more në telefon." Iu desh të përmbahej, që të mos fillonte si zakonisht. Biseduan për disa minuta dhe babai tha "Nuk e di nëse dëshiron, por si thua të takohemi të shtunën për drekë?" "Sigurisht" – u përgjigj djali.

Erdhi e shtuna. U takuan për drekë. Djali u paraqit me rrobat e tij të vjetra. Kishte flokë të gjatë dhe të shpupuritur. Më përpara babai do të ishte treguar shumë kritik dhe gjykues për këtë gjë, por kësaj here e pranoi djalin e vet dhe e bekoi në zemrën e tij. I bëri pyetje dhe dëgjoi përgjigjet e të birit. Dhe herë pas herë pohonte ato që thoshte djali, kur i dukej e përshtatshme. Në fund të drekës, djali pa të atin e vet dhe tha, "S'e kuptoj ç'po ndodh, por sikur më pëlqeu koha që kaluam bashkë." I ati u përgjigj "Edhe unë u kënaqa që kalova kohë me ty, bir." "A mendon se mund të vij në shtëpi vetëm për sonte, të fle në krevatin tim dhe të kaloj kohë me mamin dhe familjen. Vetëm për sonte." – pyeti i biri. "Sigurisht bir, do të na pëlqente të kishim në shtëpi." – u përgjigj i ati.

Gjatë asaj dite, babai u habit sa ndryshim kishte sjellë fakti që nuk po e mallkonte më të birin, por kishte filluar ta bekonte. Atë natë kur djali po flinte në shtratin e vet, babai hyri ngadalë në dhomë dhe u ul pranë tij e tha: "Bir, do t'më falësh për mënyrën si të kam trajtuar gjatë këtyre viteve?" Djali u përgjigj: "Sigurisht që të fal." Dhe përqafoi të atin. Ky ishte fillimi i ripërtëritjes së marrëdhënies së tyre. Por cili ishte fillimi i vërtetë? Ndodhi kur të dy prindërit vendosën të bekonin djalin e tyre në zemër.

S'arrij ta kuptoj, por në njëfarë mënyre Perëndia nderon faktin që ne bekojmë të tjerët dhe nuk i mallkojmë. Ne korrim atë që mbjellim. Nëse mbjellim mallkim, atëherë do të korrim mallkim. Nëse mbjellim bekim, do të korrim bekim. Kështu që do të preferoja të korrja bekim. Po ju?

Ne e sjellim Perëndinë të jetë i pranishëm në situatat tona negative duke bekuar dhe duke mos mallkuar.

3. E thërrasim Perëndinë në situatat negative duke falur

Mënyra e fundit është duke falur. Shihni letrën dërguar Kolosianëve 3:12,13: “Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin, duke duruar njeri tjetrin dhe duke falur njeri tjetrin, nëqoftëse dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju.”

Më pëlqen ky pasazh sepse Zoti e di që kemi ankesa kundër njëri-tjetrit. Por ai thotë se ashtu si Zoti na ka falur, edhe ne duhet të falim. Të gjithëve na ndodh të lëndohemi. Mendoj se lëndimet më të mëdha vijnë nga familjarët ose nga njerëzit më të afërt për ne.

Lëndimi më i madh që kam ndjerë ndonjëherë është shkaktuar nga babai im. Ai u rrit pa prindër që kujdeseshin për të dhe që ta donin, kështu që s'mësoi asnjëherë si të shprehë dashuri dhe ngrohtësi për të tjerët. Unë dola në konkluzionin që babai im nuk më donte. Për më tepër, ai kishte probleme me alkolin. Ndërsa rritesha në atë shtëpi grumbulloja hidhërim e mërzitje çdo ditë e më shumë. Nuk më pëlqente si babi im fliste me nënën. S'më pëlqente si fliste me mua. Në disa raste është treguar edhe i dhunshëm, por shumicën e kohës thjesht e injoronim njëri-tjetrin. Mbaj mend që flisja me nënën time e cila më thoshte "S'flas dot me babanë tënd." Por kur ajo nuk fliste dot me të, aq më pak mund ta bëja unë. Jeni ndodhur ndonjëherë në situata të tilla? Ishte e vështirë. Nëse do të më kishit njohur kur isha në gjimnaz apo universitet, s'do kishit dëgjuar asnjë fjalë të mirë për babin tim. Më mirë të them se e urreja.

Disa vjet pas universitetit, dëgjova një folës të citonte 1 Gjonit 4:8 “Perëndia është dashuri.” Dhe pastaj përdori pasazhin te 1 Korintasve 13 për të përshkruar dashurinë e Perëndisë për ne. Aty thuhet, “Dashuria është e duruar, plot mirësi..." dhe folësi sugjeroi që ne ta lexonim duke thënë "Perëndia është i duruar, plot mirësi, etj." Ai po tregonte se dashuria e Perëndisë për mua ishte e duruar, plot mirësi. Dashuria e Perëndisë për mua shpresonte të gjitha, duronte çdo gjë dhe mbante çdo gjë. Asnjëherë s'kisha menduar se dashuria e Perëndisë për mua ishte si dashuria që tregohej te 1 Korintasve 13.

Aty fillova të mendoj për babin tim. Mendova se gjithë ato vite kisha pritur që ai të linte pijen dhe të ndryshonte, dhe unë do ta doja. Por u duk sikur Perëndia më tha: "Ney, ti ke më shumë dritë, më shumë hir. Dashuria ime për babin tënd është plot mirësi. Dashuria ime për babin tënd është e duruar. Dashuria ime për babin tënd i shpreson të gjitha, i duron të gjitha dhe mban çdo gjë. Ney, dua që ta marrësh ti hapin e parë në lidhje me të."

Lotët pikuan nga sytë e mi ndërsa kuptova se unë s'po tregoja dashurinë e Perëndisë për babanë tim. Dukej se Perëndia kishte bërë diçka të re në jetën time, por e dija se s'do arrija ta kuptoja pa shkuar në shtëpi të isha afër tij.

Disa muaj më vonë, u ktheva në shtëpi me një qëndrim pranimi dhe dashurie. Hyra në shtëpi me një qëndrim të ri ndaj babait tim – pranim, dashuri dhe falje, dhe e dini çfarë ndodhi? Ai e ndjeu këtë gjë. Ndërsa unë po tregohesha e mirë me të, ai po tregohej i mirë me mua. Ai s'dinte si të tregonte dashuri, por dinte si të reagonte me pak më shumë dashuri. Mendova se po ta dija çfarë ndryshimi do të sillte, do të isha treguar e mirë shumë më herët. Gjatë kohës që isha në shtëpi, babi im shkoi në dyqanin e një prej klientëve të vet dhe solli në shtëpi 3 fustane që t'i provoja. S'e kishte bërë kurrë më parë një gjë të tillë.

Kur u largova nga shtëpia, mendova për fjalët e Perëndisë kur thotë se duhet të nderojmë nënën dhe babanë që të jetojmë gjatë dhe të gëzojmë begatinë gjatë jetës sonë në tokë. I thashë Zotit "Ti ke thënë se duhet të nderojmë prindërit, të lutem më trego si ta bëj." Kështu Zoti filloi të më tregonte mënyra si mund të tregoja dashuri për ta.

Për herë të parë në jetën time falënderova Zotin për prindërit e mi. Me kalimin e kohës – e di që do duket pak melodramatike – por ndodhi vërtet. Një ditë po qëndroja ulur me vështrimin drejt qiellit. Fillova të mendoj për babin tim. Mendova se nëse im atë do të vdiste dhe unë do të isha në funeralin e tij, a do të ndjeja keqardhje ndërsa shihja arkivolin? Mendova që po. Do të më vinte keq që s'i kisha kërkuar asnjëherë falje për disa nga mënyrat si isha sjellë gjatë viteve.

Kështu që vendosa të shkoja në shtëpi dhe t'i kërkoja falje. Ai e përshkruante veten si një avokat kokëfortë, kështu që më dukej e frikshme të flisja me të. Ndërsa po imagjinoja skenën, mund të shihja veten të shtrirë në tokë duke qarë e duke mos mundur të nxirrja asnjë fjalë nga goja.

Herën tjetër që shkova për vizitë te prindërit, prita deri në gjysmën e parë të ndeshjes së futbollit që po shihnim dhe thashë: "Babi, kam menduar këto kohë sa mosmirënjohëse kam qenë e s'kam treguar dashuri apo mirësi." Dhe vazhdova: "Do të më falësh?" Pati një kohë heshtje dhe pastaj ai u kthye nga unë dhe duke pulitur qepallat tha: "Jo. S'mbaj mend ndonjë gjë të tillë." Por pastaj përmendi një rast. E dija se kishte rëndësi që të merrja një përgjigje nga ai, kështu që thashë: "Do të më falësh për gjërat që mban mend?" Ai u përgjigj "Po." Pastaj shtoi "Ku do të shkosh për pushimet e radhës?" Nuk ma kishte bërë këtë pyetje më parë. Kur po dilte, pyeti përsëri "Kur do të vish përsëri në shtëpi?" "Në 21 ose 22 dhjetor" – u përgjigja unë. "Shihemi në 21 dhjetor" – tha ai.

Një ditë mamaja më mori në telefon dhe tha "Zemër, babi gjeti diçka në një katalog që të solli ty në mendje kështu që e bleu dhe e dërgoi vetë në postë. Po të dërgon një surprizë." Mezi po prisja të merrja pakon. S'e kishte bërë diçka të tillë kurrë më parë. Më në fund mora pakon e cila kishte brenda një ekspres kafeje në një kuti ngjyrë kafe që përdorej për udhëtime, sepse e dinte që më pëlqente kafeja dhe se udhëtoja shpesh. Ndërsa po shihja dhuratën mendova "Zot, kjo do të thotë shumë më shumë se thjesht një ekspres kafeje. Kjo përfaqëson një marrëdhënie që ti ke ripërtëritur."

U kujtova që sa herë nuk ndihesha sikur doja ta falja, do të zgjidhja të tregoja besim sa kokrra e sinapit dhe të vendosja ta falja tim atë. Besoj se kur lëndohemi duhet t'i bëjmë vetes pyetjen "A është Perëndia më i madh se lëndimi im, apo është lëndimi im më i madh se Perëndia im?" Neve na takon zgjedhja.

Ka shumë gjëra që s'kanë asnjë justifikim. Por s'ka gjë që nuk falet. Dikush ka thënë "Të falësh do të thotë të lirosh të burgosurin, dhe do të kuptosh që i burgosuri ke qenë ti." Babai nuk më kërkoi asnjëherë që ta falja. Por Perëndia më kërkoi një gjë të tillë, dhe kjo solli ndryshimin.

Ndoshta mund të mendoni "Po sikur personi të cilin duhet ta fal të ketë vdekur tashmë?" Kam një lajm të mirë për ju. Perëndia nuk është i kufizuar në kohë. Ai është i njëjtë, dje, sot e përgjithmonë. Besoj se mund t'i thoni Zotit fjalët që do të kishit përdorur dhe Ai do ta nderojë këtë gjë.

A ka ndonjë situatë negative në jetën tuaj? Ju inkurajoj të lavdëroni Perëndinë dhe ta falënderoni atë.

A po mallkoni dikë? Perëndia ju dhëntë hir për të filluar ta bekoni atë person. A ka ndonjë lëndim të thellë brenda jush? Perëndia ju dhëntë hir për të falur, në mënyrë që ta sillni Perëndinë të jetë i pranishëm në këtë situatë negative dhe të çlironi fuqinë e tij për të vepruar në këtë rast.

(1) Gjoni 16:33 (2) 1 Gjonit 5:4 (3) Mateu 24:35 (4) Mateu 17:20 (5) 2 Korintasve 5:7 (6) Mateu 26:37,38 (7) Mateu 26:39

Ekstrakt nga një libër që do të botohet nga WaterBrook Press. Copyright © 2004 nga Ney Bailey. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Asnjë pjesë e këtij materiali nuk mund të ribotohet apo të transmetohet në asnjë lloj forme, pa marrë leje me shkrim. Ky artikull mund të ndahet me një individ tjetër nëse shoqërohet nga ky njoftim për të drejtën e autorit.

Ney Bailey është autorja e Faith Is Not a Feeling. WaterBrook Press.