×
Kërko

Unë jam një besimtar i ri: Po tani?

Si ta fillosh Jetën e Krishterë?

Unë u bëra e krishterë në vitin e parë të universitetit në Oregon. Në një shkallë nga 1-shi deri te 10-ta nga ajo që dija për Perëndinë dhe Biblën (1-shi "nuk merrja gjë vesh fare" dhe 10-ta do kishte qenë "unë u rrita në një manastir"), unë isha minus 30. Nuk kam shkuar asnjëhere në kishë duke u rritur dhe kisha jetuar një jetë mjaft të shthurur përpara se të njihja Zotin.

Unë kisha provuar një herë të lexoja Biblën, por, si budallaqe, e fillova që në fillim (kush e dinte se kishte dy pjesë?) dhe lexova nja 20 kapituj në Librin e Zanafillës përpara se të hiqja dorë. Vite më vonë zbulova se ekzistonte gjithashtu një Testament i Ri (pjesa e dytë) dhe aty mund të mësoja për Jezusin…dhe o Zot…, kisha shumë për të mësuar.

Pra, si mund të fillosh jetën e krishterë? Si mund të rritemi dhe ta njohim më mirë Perëndinë? Këto ishin disa nga pyetjet e para që i bëra vetes kur fillova hapat e parë në marrëdhënien time me Perëndinë. Ndoshta janë të ngjashme me ato që keni menduar dhe ju. Dija aq pak për gjërat e Perëndisë, saqë e kisha të vështirë edhe të artikuloja disa nga mendimet e mia. Por fatmirësisht kisha një të krishterë më të vjetër në jetën time, e cila më prezantoi me katër mënyra të thjeshta për të hyrë në rrugën e rritjes si besimtare. Unë ende i mbaj mend ato, i përdor akoma edhe pse kam ecur me Jezusin për më shumë se 30 vjet. Lutja ime është që ato të jenë një nxitje e dobishme ndërsa zbuloni se çfarë do të ndodhë më pas në këtë jetë të quajtur të krishterë.

Dëgjo Zotin

Bibla është vetë fjala dhe vullneti i Perëndisë, e ruajtur për ne, në mënyrë që të mund të njohim se kush është Ai dhe çfarë Ai dëshiron për jetën tonë. 2 Timoteu 3:16 thotë “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.” Kjo është arsyeja pse duhet të kalojmë kohë duke lexuar Biblën çdo ditë. Nëse nuk keni një Bibël, na kontaktoni dhe do t’ju dërgojmë një të tillë. Filloni duke lexuar ungjillin e Gjonit, në Testamentin e Ri (ky libër, të cilit shpesh i referohemi thjesht si Gjoni, është libri i katërt në Testamentin e Ri, afër fillimit, dhe mos e konfuzoni me letrat e 1 e Gjonit, 2 e Gjonit dhe 3 e Gjonit, të cilat gjenden në fund të Testamentit të Ri.) Mua më pëlqen të mbaj një ditar, ose një bllok për të shkruajtur pyetje dhe vëzhgime. Përgjigjuni këtyre dy pyetjeve për çdo kapitull: Çfarë mësoj për Perëndinë ose Jezusin? A ka gjëra të cilat duhet t’i vë në praktikë, apo t’i shmang? Kjo do të ndihmojë të kuptosh se Bibla është shumë praktike për jetën tënde sot. Pasi të mbaroni ungjillin e Gjonit, thjesht vazhdoni të lexoni deri në fund tek Zbulesa.

Kur ne lexojmë Biblën, ne mësojmë se sa të dashur jemi nga Zoti. “Shikoni ç'dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë.” (1 Gjoni 3:1) Dhe kjo është çfarë jemi! Ne mësojmë se jemi një krijesë tërësisht e re, sepse kemi ftuar Jezusin të jetë Shpëtimtari dhe Zoti ynë. Lexoni Efesianëve 1:3-14 dhe kaloni disa momente duke listuar të gjitha gjërat që janë të vërteta për ju si një i Krishterë. A nuk është e mahnitshme?

Fol me Zotin

Lutja është një aspekt jetësor i ecjes së shëndetëshme me Zotin. Mendoj që kjo është pjesa ime e preferuar në marrëdhënien time me Atin. Mendo pak, ne mund të bisedojmë me ZOTIN! Në çdo kohë, në çdo vend, pavarësisht si ndihemi, në vështirësi ose gëzim. Hebrenjve 13:5 na thotë se Zoti nuk do të na lërë dhe nuk do të na braktisë asnjëherë. Ky është lajm i mirë për disa prej nesh, që nuk e kemi njohur kurrë këtë lloj dashurie dhe përkushtimi. Epo, tani e njohim … Sepse Perëndia nuk gënjen dhe nuk ndryshon mendje (Numrat 23:19, Titi 1:2, Hebrenjve 6:18). Për shkak se Ai është gjithmonë me ne, ne gjithmonë mund të bisedojmë me Të. Lutja është thjesht të flasësh me Perëndinë. Nuk ka nevojë për shfaqje fetare apo fjalë të mëdhaja. Psalmi 62:8 na thotë “hap zemrën tënde para Tij.”

Ka një akronim, që ka qenë ndihmë kur filloj të lutem - ARRFL. Tani, kujtoni që unë e fillova në minus 30, pra nuk dija asnjë gjë. Në shtëpinë tonë nuk luteshim, thjesht shprehnim dëshira kur iu frynim qirinjve të ditëlindjes, ose kur binte ndonjë yll. Nuk isha lutur ndonjëherë, prandaj ndihesha pak në siklet kur fillova, por përdorimi i këtij akronimi më ndihmoi shumë.

ARRFL:

Adhurimi - është kur ne i japim lavdi Perëndisë për atë që Ai është: i dashur, i mirë, zemërbutë, i kuptueshëm, i hirshëm, etj. Ndërsa lexoni Biblën dhe mbani shënim gjërat që po mësoni rreth Perëndisë, ju do të keni shumë e më shumë lavëdrime për Të. Gjithashtu, filloni duke lexuar një Psalm çdo ditë - kjo zgjat rreth 3-5 minuta - dhe lavdëroni Perëndinë për mënyrën se si çdo Psalm zbulon një dimension të ri të karakterit dhe vullnetit të Tij.

Rrëfimi - është një përbërës kyç për rritjen. Mëkati e bllokon miqësinë tonë me Perëndinë. Ne do të ndihemi fajtorë dhe larg nga Perëndia nëse kemi sjellje apo vepra në jetën tonë, të cilat Bibla i quan të këqija. Këtu futet në veprim rrëfimi. Shikoni 1 Gjonit 1:9. Pastaj lexoni Psalmin 32:3-5 për të para pasojat e mëkatit të parrëfyer dhe si të merremi me të.

Falenderimi - është kur ne i themi faleminderit Perëndisë për gjithçka ka bërë. Sërish, Psalmet janë një vend i shkëlqyer për të shkuar që të kujtohemi për gjithë gjërat që Ai ka bërë për ne. Përdori fjalët e psalmistit si fjalët e tua. Është një mënyrë e mirë për të mësuar si të flasësh me Perëndinë.

Lutja - është kur lutemi për veten tonë dhe për të tjerët. Mua më pëlqen të mbaj një listë me kërkesa lutjesh ku shënoj datën kur kam filluar të lutem për veten ose për dikë tjetër, dhe datën kur lutja është përmbushur. Lutuni në mënyrë specifike, duke pritur për përgjigje dhe në mënyrë besnike. Ai do t’ju dëgjojë dhe do t’ju përgjigjet. Por, ju mund të pyesni, “Si mund t’a di unë vullnetin e Perëndisë?” Kjo na rikthen ne aty ku filluam … tek leximi i Fjalës së Tij.

Fol me të tjerë, që e njohin Zotin

Kjo quhet bashkësi, të kalosh kohë me njerëz të tjerë, të cilët e duan Jezusin. Mund të jetë në kishë, në një studim Bible apo në një grup të vogël. Qëllimi i kësaj është rritja së bashku (Veprat e Apostujve 2:46-47). Shumë prej nesh do të duhet të krijojnë miqësi të reja dhe të mësojnë të argëtohen në mënyra të tjera. Duke kaluar kohë me besimtarë të tjerë, sjelljet tona fillojnë të ndryshojnë dhe ne shohim se si duket dhe sillet një besimtar i rritur.

Fol me të tjerët për Zotin

Kjo do të thotë të dëshmosh. Më pëlqen ajo që apostulli Pal shkruan tek 2 Korintasve 5:17-20, “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja.Edhe të gjitha gjërat janë nga Perëndia që na pajtoi me veten përmes Jezu Krishtit dhe na dha shërbimin i pajtimit, sepse Perëndia e ka pajtuar botën me veten në Krishtin, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre dhe vuri ndër ne fjalën e paqtimit. Ne, pra, bëhemi lajmëtarë për Krishtin, sikurse Perëndia të këshillonte nëpërmjet nesh; dhe ne ju këshillojmë juve për hir të Krishtit: Pajtohuni me Perëndinë!” Unë thjesht duhet t’iu tregoja miqve të mi për marrëdhënien time të re me Krishtin! Për shkak se Ai kishte ndryshuar jetën time, më fali dhe më deshi në një mënyrë, që nuk e dija se ishte e mundur, unë doja që të tjerët të kishin të njëjtën gjë që unë kisha. Sigurisht që jo të gjithë ndiheshin aq të gëzuar sa ndihesha unë, por dëshira ime ishte shumë e fortë. Bëra një listë me 10 njerëz, me të cilët doja të flisja për Zotin dhe pastaj thjesht prita që Ai të krijonte mundësitë për ta bërë këtë të mundur. Jam e gëzuar që tani shumë prej tyre e njohin Krishtin gjithashtu. E mrekullueshme, apo jo?

Lutja ime e sinqertë është që disa nga këto mendime do t’ju shërbejnë si themel drejt një ecje më të thellë me Shpëtimtarin tonë, Jezusin.

Nëse keni dëshirë të vazhdoni të rriteni në ecjen tuaj me Perëndinë, ne mund t’ju ndihmojmë. Klikoni këtu për të na kontaktuar.